Prokurori i Shtetit

Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur, me autoritet dhe me përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale ose për ndonjë vepër tjetër, sikurse është rregulluar me ligj. Prokurori i Shtetit është institucion i paanshëm, dhe vepron në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit. Organizimi, kompetencat dhe detyrat e Prokurorit të Shtetit rregullohen me ligj. Prokurori i Shtetit pasqyron përbërjen shumetnike të Republikës së Kosovës dhe respekton parimet e barazisë gjinore. Mandati fillestar për prokuror është trevjeçar. Në rast të riemërimit, mandati është i përhershëm deri në moshën e pensionimit, sikurse është përcaktuar me ligj, përveç nëse shkarkohet në pajtim me ligjin.

Struktura organizative e Prokurorit të Shtetit

Struktura organizative e institucionit të Prokurorit të Shtetit në Republikën e Kosovës është:

•    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si instanca më e lartë e Prokurorit të Shtetit, me kompetencë në tërë territorin e Republikës së Kosovës
•    Prokuroria e Apelit si shkallë e dytë me kompetencë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe e cila përbëhet nga Departamenti i Përgjithshëm dhe Departamenti për Krime të Rënda;
•    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si organ prokurorial i specializuar, me juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës;
•    Shtatë (7) prokuroritë Themelore të përbëra nga Departamentet e Përgjithshme, nga Departamentet për të Mitur dhe nga Departamentet për Krime të Rënda.

Vizioni

Synim kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit.

Prioritetet kryesore do të jenë ndjekja e suksesshme e krimeve të luftës, krimit të organizuar, dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit. Luftimi i këtyre llojeve të krimit duhet të jetë sfidë jo vetëm e Prokurorit të Shtetit, por edhe e të gjitha organeve shtetërore dhe e shoqërisë kosovare. Për këtë qëllim do të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit e sidomos me Policinë e Kosovës, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Agjencionin Kosovar Kundër Korrupsionit.

Puna e Prokurorit të Shtetit do të bazohet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Gjatë punës do të respektohen pavarësia, paanshmëria, profesionalizmi dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Arritja e besimit tek publiku është synim i vazhdueshëm. Për këtë qëllim Prokurori i Shtetit do t’i kushtoj vëmendje të posaçme transparencës dhe media dhe me shoqërinë civile.
Shfrytëzimi dhe përdorimi racional i buxhetit dhe resurseve njerëzore poashtu është një ndër synimet e rëndësishme.

Misioni

Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur dhe funksionet e veta i ushtron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Gjatë ushtrimit të funksioneve siguron trajtimin e barabartë dhe objektiv të të gjithë personave pa diskriminim në baza kombëtare, gjinore, racore, bindjeve politike, besimit fetar dhe pozitës shoqërore.

Pavarësia dhe paanshmëria do të sigurohet me shmangien e çfarëdo lloj ndërhyrjeje apo pengimi kundërshtuese dhe kundërligjore në punë e Prokuyrorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit do të ndërmarr ndjekjen penale ndaj kryesve të veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare apo me propozimin e të dëmtuarit, do të mbikëqyrë punën e policisë gjyqësore gjatë hetimit të veprave penale dhe udhëheqë me procedurën paraprake gjatë mbledhjes së të dhënave dhe informacioneve të nevojshme për fillimin e procedurës penale.

Gjatë punës së vet Prokurori i Shtetit vlerëson dhe analizon me përkushtim të njëjtë provat fajësuese dhe shfajësuese dhe gjatë hetimit siguron që hetimi të kryhet në afatet ligjore, respekton në tërësi të drejtat e të pandehurit dhe siguron mbledhjen e provave të pranueshme për gjykatën. 

Lajme